Enkelejd Alibeaj nëpërmjet rrjeteve sociale shpreh shqetësimin për situatën e krijuar në Veri të Mitrovicës, ku raportohet se ka patur shkëmbim zjarri.
Një skenar i qartë që synon krijimin e një vatre të rrezikshme tensioni, shkruan ai.
Ja postimi i plotë i tij:
Partia Demokratike po ndjek me shqetësim të lartë situatën në Veri të Mitrovicës. Lajmet se goditje me armë ndaj forcave policore të Kosovës, ngritja e barrikadave, kundërshtimi i autoriteteve ligjzbatuese të Kosovës nga elementë të armatosur të organizuar të strukturave paralele serbe, duket se është një skenar i qartë që synon krijimin e një vatre të rrezikshme tensioni. Gjithashtu refuzimi i komunikimit dhe zgjidhjes së situatës me institucionet e ligjshme të Kosovës nga pala serbe duket se synon jo mbrojten e drejtave të popullatës serbe, por një ndarje defacto me bazë etnike të Veriut të Mitrovicës.
Nga ana tjetër, paralajmërimi nga zyrtarë të nivelit të lartë në Beograd se planifikojnë dërgimin e mbi 1000 trupave ushtarake serbe në Kosovë është kërcënim i drejtpërdrejtë i paqes në Ballkan.
Në emër të Partise Demokratike ne shprehim mbështetje të plotë për dialogun Kosovë-Serbi, me qëllim final njohjen reciproke. Ne mbështesim pa asnjë hezitim institucionet legjitime të Kosovës në përpjekjet e zbatimit të ligjit, si dhe të mbrojtjes së sovraniteti dhe integritetit shtetëror të Republikës së Kosovës.
Ne sot i apelojmë të gjithë aktorëve politikë në Kosovë për unitet, si dhe bashkërendim sa më të ngushtë me partnerë tanë strategjikë SHBA&BE në tejkalimin e kësaj situate.
Ne i bëjmë thirrje qeverisë serbe të ndalë skenarët e konfliktit e ndarjes me baza etnike në Kosovë duke u kthyer kësisoj në levë të interesave destabilizuese të Putin në Ballkan.
Kosova është e pavarur, e paprekshme dhe e ardhmja e saj është përcaktuar në BE dhe NATO.