Sikurse dihet tashmë, nesër më dt 4 dhjetor, në gjithë degët e PD-së votohet në Primare për të zgjedhur atë që do të jetë kandidati zyrtar i opozitës në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.
Pikërisht për këto votime ka reaguar në rrjetet sociale sekretari i PD-së Flamur Noka, i cili ju drejtohet demokratëve duke i nxitur në pjesëmarrje.
Moment historik në kulturën politike shqiptare. Votoni ju. Vendosni ju, shkruan midis të tjerave Noka.
Postimi i plotë:
Nesër, më #4dhjetor, anëtarët e Partisë Demokratike dhe simpatizantët e saj në të gjithë Shqipërinë do të votojnë për herë të parë në primaret e para bashkiake në shkallë vendi. Është një moment historik në kulturën politike shqiptare, ku kandidatët e opozitës i përcakton vota e fshehtë e shqiptarëve dhe jo forumet apo kryetari i partisë.
Përkundrejt të gjitha përpjekjeve të megafonëve qeveritarë për të zbehur rëndësinë e kësaj ngjarjeje politike dhe për t’i dekurajuar shqiptarët se nuk ka për të patur kurrë demokraci të brendshme në partitë politike shqiptare, 4 dhjetori do të shënojë kalendarin e vitit 2022 si ngjarja e vitit.
Primaret japin një mesazh të qartë:
Gara kthen besimin te demokracia.
Vota e lirë dhe e fshehtë kthen besimin tek institucioni i zgjedhjeve, te konkurrenca dhe fitorja me meritë.
Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë demokratë! Pjesëmarrja në primare është shprehje e sovranitetit tuaj në PD, e besimit te vizioni dhe lidershipi ynë, e shpresës për ndryshim dhe fitore.
Votoni ju. Vendosni ju. #primare


