U lind më 2 dhjetor të vitit 1944 në Cerrcë të Istogut.
Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen në Pejë më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë, ku u diplomua më 1971. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe në revistën shkencore “Dituria” (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë punoi edhe në revistën “Fjala”.
Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, në “École Pratique des Hautes Études”, ku ndoqi studimet për gradën shkensore “Doktoratur”
në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. U laurua “Doktor i Shkencave” në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984.
Në vitin 1986 Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës.
Pastaj, për afro dy dekada, veprimtarinë e veta shkencore i zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti.
Më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Si intelektual i shquar Ibrahim Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.
LDK, nën udhëheqjen e Rugovës, u bë forca politike pararendëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes.
Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë “dallëndyshe” për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992. Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës. U rizgjodh President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.
Nën udhëheqjen e Rugovës LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. Më 4 shkurt 2002 parlamenti i Kosovës zgjodhi Rugovën president.
Rugova vitet e fundit vuante nga një sëmune rëndë dhe ndërroi jetë më 21 janar 2006.
Në vitin 2007, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dekoroi Presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vend që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës.

