Sot Ezmerka ka datëlindjen
DY GRATË E MITROS
Kam dy gra. E para: Antoneta. 41 vjet bashkë. Dy dasma. Një djalë.
E dyta: Ezmerka. Personazh i krijuar sipas shijeve të mia.
Antoneta: më zotëron. Më kullot kuletën. Dorëshpuar për fustane, këpucë, syze.
Kërkon para për tek Alma – më e mira në Tiranë për kremrat, i merr në Paris – pedikurë, manikyr.
Duhen euro për turizëm: Barcelonë, Nisë, Soronto, Lisbonë, Korfuz, Firence.
Ezmerka: është e butë. Manare. Pa kosto. E vesh dhe e zhvesh pa vënë dorën në xhep.
Bëj ironi. Sarkazëm. Humor. Pa doganë.
Në fillim Antoneta u bë xheloze për Ezmerkën.
Nuk i lexonte haberet. “Më vjen turp nga shoqet.”
Ezmerka qesëndisej. Ishte personazh. Nuk kishte ndjenja.
Jetë i jepja unë. E shumta imitonte Antonetën.
Kaluan disa vite. Ezmerka u bë VIP.
Ishte pjesë e bisedave në tavolina. Jo rrallë edhe djali i thërret Ezmerkë!
Mua nisën të më pyesin:
Si e ke Ezmerkën?
Por ka edhe më keq. Shoqet, nën ndikimin e habereve, nuk i thërrisnin Antoneta, por Ezmerkë.
Antoneta u thartua, duke më qerasur me fjalë zemre: ”
-Ka të drejtë Filipi kur thotë: Mitroja është eksiq! E fortë je ti Neti, që nuk i jep duart.
Një ditë e kapa Antonetën me presh në duar: Po lexonte haberet.
– Çfarë të kthej përmbys?!
– Takova një shoqen e shkollës.
“Si je moj Ezmerka e Mitros?” më tha.
U tromaksa. I thashë:
“Më quajnë Antoneta!”…
“Po kjo, ç’pati!” tha ajo.
Dëgjo, Mitro! Të të kisha pranë, do të të çaja më dysh.
– Pse, “Maks Mara” mos jep gjë mall xhaba? Po ngordha unë, ngordhin edhe leftatë.
– Mitro! Ironitë bëji me ato buzësilikonet që u lëpihesh në ekran! Por dëgjo, se ka dhe më.
Takova shkallëve Feliksin, nëndrejtorin. Më tha:
“Ezmerkë, lexova një haber të Mitros: Tampona për Ezmerkën! I madh! Qesha me vete si i lojtur. Ja tregova gruas: U shkri…”
Çudia ndodhi, – vazhdoi Antoneta, – kur edhe Bruna, parukierja më tha:
“Ezmerkë! Do të shkosh me pushime në Lisbonë?”
E pikasa. Nuk ka më xhelozi. Ezmerka e ka bërë përvete Antonetën.

