“Është një tragjedi”, kështu tha kreu i Mbrojtjes Civile Italiane, Fabrizio Curzio, duke iu referuar përmbytjeve që shkaktuan dëme të mëdha në ishullin Ischia në Itali, ndërsa ende nuk është konfirmuar numri i saktë i viktimave.
Edhe pse fillimisht ministri italian i Infrastrukturës, Matteo Salvini, foli për 8 të vdekur, zyrtarisht është konfirmuar vdekja e vetëm një gruaje. Gjithashtu janë të paktën 11 persona të zhdukur,ndërsa 13 persona kanë mbetur të plagosur.
Në orën 5 të mëngjesit, balta mbuloi zonën e Casamiciola, në këtë ishull të vogël pranë Napolit. Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piandendozzi , theksoi se situata është e vështirë, sepse ka njerëz që nuk u përgjigjen telefonave dhe mund të jenë nën baltë. Rreth dyqind banorë ka të ngjarë të largohen nga shtëpitë e tyre, për të lëvizur në zona të sigurta.
Deti në zonë mbetet i trazuar, gjë që e vështirëson veçanërisht mbërritjen e ekipeve të shpëtimit. Zona e gjerë e Casamiciola është në një situatë të vështirë, ku mediat italiane theksojnë se ka shumë ndërtesa ku balta ka arritur deri në katin e parë.
Energjia elektrike është ndërprerë në shumë zona të Ischia-s dhe autoritetet lokale u kanë kërkuar banorëve të shmangin të gjitha lëvizjet për shkak të rreziqeve të reja të mundshme prej motit ekstrem./ TGCOM

