E vranë një grua,
e vranë edhe një lot,
trembën për vdekje
buzëqeshjen e një fëmije.
Zoti mesjetar,
duart e burrit janë
për të përkëdhelur flokët e saj,
sytë mbushin vështrimin e munguar,
dhe fjalë zemre e kthejnë atë,
flutur midis yjesh.
Ti njeri,
biri i kolonisë së Evës dhe Adamit,
linde për të puthur duart
e një nëne.
E vranë
e bashkë me të dhe një libër ëndrrash të pabotuara,
një pirg dëshirash fëminore,
një enigmë dashurie.
Vranë…
dy buzë që të puthnin
për të shkrirë armën në mendje,
djersën që injektohej në damarët e lumturisë,
këngën që mbushte orët,
në shpirtin tënd të zbrazët.
E vranë,
e vranë edhe tempullin
ku ajo lutej për të gjithë,
për ne që nuk mësuam kurrë
se ç’ është një grua.
E vranë… edhe një grua.


