Nuk jam aspak dakord që protesta e 6 Dhjetorit të jetë e të quhet vetëm protestë e Partisë Demokratike apo e vetëm popullit të djathtë.
Kjo është dhe duhet të jetë protesta e qytetarëve dhe opozita me të drejtë i është bashkuar për të ndihmuar qytetarët në thyerjen e frikës dhe në fitimin e vetëbesimit dhe të lirisë.
Një shoqëri nuk e bëjnë dot as pushteti dhe as opozita e vetme, secila prej tyre mund të ndihmojë natyrisht, por një shoqëri e bëjnë qytetarët, dhe mund ta bëjnë vetëm kur janë të lirë, të lirë të mendojnë, të punojnë, të veprojnë e të bashkëveprojnë, të ndërtojnë të ardhmen dhe lumturinë e tyre në atë copë qiell që Zoti u ka falur, me punë të ndershme dhe me djersën e ballit.
Një shoqëri demokratike kurrsesi nuk mund të quhet, konceptohet apo ndërtohet me marifete e marifetçinj, duke mbjellë apo prodhuar hashash, drogëra dhe helme të tjera, qofshin edhe fitimprurëse, sepse kurrësesi mirëqenia e familjeve tona dhe fëmijëve tanë nuk mund të ngrihet mbi helmin që u shesim familjeve dhe fëmijëve evropianë.
T’i japësh mundësinë një populli të ndërtojë lumturinë e tij mbi punë të pandershme dhe në kurriz të fatkeqësive të familjeve të vendeve fqinjë, nuk është e ndershme, pasi dihet që droga që prodhojmë dhe u shesim fëmijëve të vendeve të Evropës i dëmton edhe ata vetë.
Të mos mendojmë se pisllëqet që çojmë nëpër Evropë i përmirësojnë ato shtete, kjo që bëjmë është një krim shoqëror përveç se ligjor, është një pabesi që ne i bëjmë shoqërive të tjera perëndimore, pjesë e së cilave aspirojmë të jemi.
Lumturia personale e çdo njeri dhe e çdo familjeje ndërtohet vetëm nëpërmjet punës së ndershme, dhe shteti ka detyrimin të sigurojë kushtet e nevojshme që qytetarët të punojnë me dinjitet dhe të sigurojnë të ardhurat për fëmijët dhe familjet e tyre.
Të tjerat janë propagandë e panevojshme.

