Mësohet se dhjetëra banesa në Durrës janë përmbytur gjatë natës për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Situata më problematike është në zonën e ish-Kënetës në Durrës.
Uji ka vërshuar nëpër banesa duke arritur deri në 40 centimetra. Kjo situatë ka irrituar banorët, të cilët ankohen se nuk kanë pasur asnjë ndihmë nga autoritetet për situatën.
Banorët shprehen se sistemi kullues i kanalizimeve nuk funksionon, ndërsa ata kërkojnë zgjidhje nga autoritetet. Ata shprehen se kjo situatë përsëritet përherë.
Banorët e prekur nga përmbytjet në Durrës shprehen se ky nuk është viti i parë që ata zgjohen nën ujë në banesat e tyre, pasi rasti është përsëritur për 4 vite radhazi. Shkak sipas tyre i përmbytjeve masive në disa zona të qytetit janë kanalizimet të cilat bllokohen, nuk pastrohen e për pasojë reshjet e shiut krijojnë prurje të cilat përfundojnë në shtëpitë e tyre. Ata shprehen se edhe këtë vit u është dashur të flejnë mbi ujë pasi çdo gjë në shtëpi ka dalë jashtë përdorimit, ndërsa shtojnë se nuk është interesuar askush. Sipas tyre, interesi nga ana e shtetit shfaqet vetëm kur bëhet fjalë për vota.
“Shtëpia është përmbytur, është deri te çizmet. Të gjitha mobiljet jashtë përdorimit. Viti i 4 që hyn uji brenda në shtëpi dhe shteti nuk ve dorën. Nuk dimë cfarë të bëjmë”, tha një banore.
“Është hera e tretë që përmbytemi, e njëjta histori, kemi fjetur në ujë, kemi ndenjur në ujë, kam fëmijën 4 vjeç, e kam alergjik ndaj lagështirës. Durrësi mbytet sa herë bie një vesë shiu. Nuk ka ardhur askush të interesohet, edhe kur ra tërmeti. Askush, kur vjen puna te votat vijnë derë më derë”, tha një tjetër banore.
Reth 10 familje të lagjes 18 në Durrës janë zgjuar këtë të hënë të përmbytur nga reshjet e vazhdueshme të shiut. Niveli i ujit i kalon 20 cm dhe ka shkaktuar dëme të pallogaritshme në banesat e tyre.

