Në të shpeshtë, të qenit i suksesshëm nuk të bën të ndihesh i tillë. Shumica e njerëzve, flasin për qëllime, për famë, për arritje, për karrierë. A përbëjnë të gjitha këto suksesin?
Në shoqërinë tonë, po dhe përtej, ka dy koncepte thellësisht të ngjashme e po aq thellësisht të ndryshme: arritjet dhe suksesi. Të arrish qëllime nuk të bën patjetër të suksesshëm.
Arritjet janë qëllime dhe objektiva që ne i vendosim vetes. I planifikojmë, punojmë për to, hartojmë një plan për to.
Arritjet janë të prekshme, të matshme, të shpjegueshme qartësisht në fjalë.
Suksesi, në ndryshim nga arritjet, është ndjesi.
Suksesi është gjendje, është i vështirë për t’u shpjeguar me fjalë, është i paprekshëm, vështirësish i matshëm.
Nëse për arritjet është e thjeshtë të hartojmë një plan me pika konkrete se çfarë duhet të bëjmë për t’ja dal, për suksesin nuk mundemi. Suksesi është ndjesi, si i tillë nuk mund të projektohet në plane me pika të shkruara.
Ekziston një supozim se sa më shumë të arrish, aq më shumë do të ndihesh i suksesshëm. Në fakt, kjo ndodh rrallë, shumë rrallë.
Kjo nuk është një marrëdhënie varësie, ku rritja e te parës sjell të njëjtën efekt në të dytën.
Megjithatë, nuk është as marrëdhënie përjashtuese, të dyja i duhen njëra -tjetrës. Aq sa qëndrojnë në paralel, aq edhe ndërthuren.
Suksesi është po kaq abstrakt sa duket ndërkohë që unë po përpiqem ta shpjegoj. Situata aktuale e shoqërisë sonë, e bënë edhe më të vështirë perceptimin se ç ’është suksesi. Ne sot jemi një shoqëri e dukjes, ekraneve, fotove dhe mediave sociale.
Çdo pranverë, në Institutionin e Teknologjisë në Massachusetts, organizohet një event 4 ditor mes sipërmarrësve më të arrirë. Ke degjuar ndonjëherë për këtë? Jo. As unë nuk kisha dëgjuar deri para disa javësh. E di pse? Sepse për këtë organizim nuk ka faqe në rrjete sociale, nuk ka fotograf, nuk thërriten autoritete qeveritare për fjalë përshëndetëse, nuk thirren televizione, nuk jepen intervista. Ky organizim, ka në bazë vlerën, eksperiencën. Ata, më të arrirët në sytë e shumëkujt, ndajnë mes tyre çfarë janë dhe përmirësojnë njëri-tjetrin. Ata e quajnë këtë takim “Gathering of Titans”. Në atë organizim, nuk ka sesione relaksi ku luhet ping-pong, nuk ka as shefa kuzhine të thirrur posaçërisht për ta. Ai organizim, ka diçka ndryshe nga çfarë na ofrohet e çfarë jemi mësuar të shohim sot në vijën e parë, ai nuk është bosh.
Thënë sa më lart, e bën më të vështirë perceptimin se ç ’është suksesi.
Suksesi është ndjesi, suksesi mishërohet në atë ndjesi me të cilën zgjohemi çdo mëngjes, e cila na bën të bëjmë gjithçka tjetër gjatë ditës. Pikërisht ajo që i thua vetes kur hap sytë, pikërisht ajo që i thua vetes kur nuk do të heqësh dorë, ajo sjell suksesin.
…por, ajo nuk është një plan, është përtej një plani, është çfarë na bën të ndryshëm dhe çfarë na destinon të bëhemi kush jemi.
A mundeni të thoni tani, jeni apo ndiheni të suksesshëm? :

