Antoni Gaudí ishte një nga arkitektët më të mëdhenj të lëvizjes së modernizmit katalanas, i cili shtyu përtej kufijve të imagjinatës mënyrën se si mund të duket një ndërtesë.
I lindur në vitin 1852 në rajonin spanjoll të Katalonjës, shumica e veprave të tij më të mëdha mund të gjenden në Barcelonë.
Gjatë fundit të shekullit XIX, qyteti ishte një qendër politike dhe intelektuale, duke tërhequr kështu shumë nga talentet më të shquara të Spanjës.
Ashtu si shumë mendje të tjera krijuese, stili arkitekturor i Gaudí-t kaloi nëpër shumë faza, duke filluar me dizajnet më të zakonshme të epokës viktoriane, përpara se të eksperimentonte më tepër me lloje të ndryshme të formave, ngjyrave dhe materialeve.
Ai u frymëzua shumë nga natyra, feja dhe stilet më të vjetra arkitekturore, të tilla si Moorish.
Shumë prej ndërtesave të tij kanë një pamje thuajse si në ëndrra, sikur kanë dalë nga një përrallë. Pas vdekjes së Gaudí-t në vitin 1926, ndërtesat e tij kanë marrë famë dhe admirohen nga shumëkush.
Shtatë prej veprave të tij janë shpallur si vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Për këtë arsye, ndoshta nuk është për t’u habitur fakti që me kalimin e viteve, ai mori pseudonimin “Arkitekti i Zotit”.
Më poshtë mund të gjeni disa nga ndërtesat më madhështore të Gaudí-t në Barcelonë.
Casa Vicens
E ndërtuar midis viteve 1883 dhe 1885, Casa Vicens konsiderohet të jetë një nga projektet e para të mëdha të Gaudí-t. Ajo i përket periudhës orientaliste, gjatë së cilës shumë prej dizajneve të tij u ndikuan nga stilet e artit që vinin nga Lindja e Afërt dhe e Largët.
Kjo godinë unike u shoqërua me shumë diskutime gjatë ndërtimit të saj.
Casa Batlló
Casa Batlló përshkruhet shpesh si një nga kryeveprat më të rëndësishme të Gaudí-t. Ndërtesa origjinale daton që nga viti 1877, por në atë kohë ajo nuk binte shumë në sy. Gaudít iu kërkua në vitin 1904 që ta ridizenjonte atë.
Punimet e rinovimit përfunduan dy vite më vonë. Veçoritë më të spikatura të kësaj ndërtese janë mozaikët shumëngjyrësh, dritaret e çrregullta ovale dhe punimet prej guri të skalitur.
Palau Güell
Kjo rezidencë e qytetit ishte shtëpia e industrialistit të madh, Eusebi Güell. Gaudí punoi për shtëpinë e kësaj familjeje nga viti 1886 deri në vitin 1888, duke i dhënë asaj ndjesinë e një pallati venecian.
Tranzicioni i kësaj ndërtese gjatë punës së Gaudí-t bëri që ajo të merrte një stil më tradicional venecian, duke kulmuar me 20 oxhaqe shumëngjyrëshe, të cilat i bëjnë jehonë stileve të tij më eksperimentale të gjetura në Parc Güell dhe Sagrada Familia.
Casa Milà
Casa Milà nganjëherë quhet “gurore”, për shkak të pamjes së saj të gdhendur me ashpërsi. Ajo ishte një nga rezidencat e fundit private të krijuara nga Antoni Gaudí. Pas përfundimit të saj në vitin 1912, dizajni shkaktoi shumë diskutime në Barcelonë. Ishte një pamje e guximshme që të shikoje fasadën prej guri të lëmuar të ndërtesës, së bashku me ballkonet e përdredhura prej hekuri.
Parc Güell
I vendosur në Carmel Hill të Barcelonës, ky park përbëhet nga kopshte të shumta dhe nga elementë arkitekturorë të projektuar nga Gaudí me kërkesë të Eusebi Güell. Dizajni përfundimtar tregon disa shenja që ai ishte ndikuar nga natyra.
Kjo fazë e stilit arkitektutor të tij u vu re gjatë dekadës së parë të shekullit XX. Gaudí u frymëzua nga format organike, duke krijuar një mjedis shumë të veçantë për t’u eksploruar.
La Sagrada Familia
Kisha Katolike e La Sagrada Familia konsiderohet gjerësisht si vepra më e arrirë e Gaudí-t, si trashëgimia e vërtetë e tij në këtë botë. Ai kombinoi arkitekturën gotike me elementët e Art Nouveau në dizajnin e tij, duke krijuar një ndërtesë vërtet unike.
Puna për ndërtimin e bazilikave u ngadalësua derisa u ndal plotësisht gjatë Luftës Civile në Spanjë. Ndërtimi pritet të përfundojë tërësisht në vitin 2026.
La Sagrada Familia është bërë një nga simbolet kryesore të Barcelonës, duke tërhequr qindra mijëra turistë çdo vit. / History Hit




