Kur monarkia austro-hungareze erdhi në pushtet në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërtoi ndërtesa të shumta si Posta, Muzeu Kombëtar, Fakulteti Juridik etj.
Por, kur filluan me ndërtimin e bashkisë, ata u ndeshën me sfida dhe kokëfortësia e një boshnjaku të guximshëm.
Dy herë që kam vizituar Sarajevën, të dyja herët kam vizituar këtë shtëpi të bukur e të rrallë (në foto), edhe për nga historia.
Miqtë e mij boshnjakë më kanë treguar se në kohën e pushtimit austro-hungarez monarkia po ndërtonte godina të bukura e të mëdha në zemër të kryeqytetit.
Kjo shtëpi ishte në bregun e djathtë të lumit Miljacka, lumi që përshkon mes për mes Sarajevën.
Monarkia në pushtet donte të ndërtonte godinën e bashkisë, një ndërtesë si kurrë më parë në Sarajevë për t’u treguar boshnjakëve fuqinë e perandorisë austro-hungareze.
Ndërtimi i bashkisë parashikonte rrafshimin e shtëpive përreth, përfshirë këtë.
Pronari i shtëpisë (Benderie quhej plaku) nuk i lejoi t’i prishnin shtëpinë, sepse ajo shtëpi ishte qetësia e tij shpirtërore.
Pas negociatave të gjata, plaku kokëfortë i kërkoi Monarkisë që t’i paguante një thes me monedha ari dhe t’ia kalonte shtëpinë në bregun tjetër të Miljackës, tullë më tullë, gur më gur.
Austro-hungarezët megjithëse ishin pushtues, ndryshe nga rilindasit në Tiranë që nxorën mijëra familje në rrugë, nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të bënin ashtu siç kërkoi pronari i shtëpisë. Ata transferuan çdo tullë e çdo gur në anën tjetër të lumit duke e ndërtuar në mënyrë identike.
Që atëherë, shtëpia e Benderijes mori emrin “Inat Kuça” (shtëpia e inatit).
Në faqen zyrtare të “Inat Kuca”, ajo është ende aty për të sfiduar të gjitha qeveritë dhe simbolizon inatin boshnjak.
Në vitin 1997, “Inat Kuca” u shndërrua në një restorant tradicional boshnjak.
Krenaria, inati dhe kokëfortësia janë karakteristika të zakonshme të boshnjakëve.
Pasi kam njohur Sarajevën kam krijuar respekt , konsideratë për këtë popull.

