Realiteti që shohim sot në këtë vend, i cili gjithmonë e më pak përmendet si i shqiponjave, është fakti se ka një parti në pushtet, një parti dominuese, e cila megjithëse formalisht duket se respekton Kushtetutën, e shkel dhe e përdhos atë në thelb.
Nga veprimet konkrete kuptohet se partia pushtet nuk dëshiron të marshojë drejt Bashkimit Evropian, drejt demokracisë, lirisë, standardeve dhe të drejtave të njeriut, siç me të madhe proklamon, por po krijon, duke filluar nga arsimi, një shoqëri pa mendim, një shoqëri të bindur, të bindur edhe në faktin që e drejta dhe e gabuara përcaktohet nga qeveri-partia, duke e zhytur kështu sistemin në një diktaturë të maskuar.
Shkollat e shtetit janë kthyer në shkolla partiake. Partia-pushtet e ka kuptuar pre kohësh se shkollat shtetërore kanë “defektin” e të qenit të paanshëm, ku pjesa dërrmuese e mësimdhënësve janë profesionistë të fushave të tyre dhe i përkushtohen më tepër edukimit të brezit të ri sesa idealeve të partisë. Në fakt kur erdhi në pushtet të tilla i gjeti.
Në arsimin publik, sidomos në arsimin universitar, ka ekzistuar së tepërmi dhe ekziston, tani më pak, një rezistencë e caktuar përkundrejt ndikimit të pushtetit, dhe kjo gjë shqetëson natyrshëm realizimin e qëllimit qeveritar, atë të dhënies jetëgjatësi karriges së pushtetit.
Partia-shtet, tashmë mbizotëruese, ka filluar prej vitesh të neglizhojë shkollat publike, parauniversitare dhe universitare, t’i diskreditojë ato, t’i varfërojë ato, aq sa tani është në kulmin e kontrollit arsimor publik. Shkollat dhe universitetet publike i bëri kështu anemike, duke favorizuar shkollat private, duke i furnizuar ato me nxënës e studentë, dhe duke i shndërruar shkollat publike dhe private, me ndonjë përjashtim të vogël tek privati, në shkolla të partisë-pushtet.

