“Fëmijëri e thinjur” është roman dykahesh. Në të pasqyrohet, si në film, një vit nga jeta e një qyteti. Duket si miniatura e Shqipërisë së tkurrur, mishëruar brenda një vendi të vogël, ku gjithçka që ndodh nënkupton një kontekst më të gjerë gjeografik e shtetëror, që vjen nëpërmjet lajmeve televizive ose rrëfimeve të të tjerëve. Ndërsa parja dhe shqyrtimi i ngjarjeve nga optika dhe imagjinata prej fëmijësh, rrëfimin real e ngre në art.
Hera-herës, në sfondin e ngjarjeve të romanit, autorja sjell legjenda të vjetra shqiptare, i përfshin ato në ngjarjet reale, por kjo ndodh në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe me artin e duhur, dhe nuk “kërcet” aspak si një element i huaj, as shmang fokusin nga boshti i ngjarjeve. Përkundrazi, ai vit e ato ngjarje që e kapërcejnë mendimin normal të njeriut të zakonshëm, vetëm me koracë mitike mund të vishen sot e gjithmonë, sa herë të sillen në kujtesën individuale dhe popullore.
Parathënia/ Bujar Alimani
Pasazh nga libri:
Gjithë rrëmuja që më kishte dyndur trurin, sikur ma kishte larguar edhe Elbën. Çdo ditë e më shumë më dukej më e largët, nuk kisha më kohë të mendoja për flokët e saj, për kohën kur do ta gjeja, për ëndërrimin e ecjes së saj nëpër udhët e qytetit. Ndieja se po largoja ngadalë dëshirën për ta përqafuar, por edhe atë gjendjen e çuditshme që përjetoja sa herë e sillja ndërmend. Sikur një borë e ngricë e madhe kishte ngrirë gjithçka dhe i kishte lënë vend vetëm frikës për të shpëtuar; të na gjente gjallë dita tjetër…


