***
Cep më cep këtyre ujërave të fjetura iu bie
Shaptorja e shapravitur e lëngatës.
Aty ku treten e shuhen fillake do hije
mbytur me shpërgënj zambakësh të kaltër.
Përsipër shkëmbit të fatit gjithë zgëdhela
ca larashë brengash rrinë havadan.
Gjithçka joshet, dehet me gjëra të tjera,
me lule letrash parfumosur në mellan.
Një bulëz ëndrre gjer lart fluturon
brenda realja e jermi kacafyten përfundi.
Ngul thumba në balonë Dedali e thumbon:
Ku je, Ante, o provincial i mjerë katundi.
Për ibret gjahu e gjuha. Shpërgënj e shtërpënj
ngatërrojnë larashët mes plojës e lojës.
Tashmë vetë luani krifëverdhë është klithmë
që hungërin mbytur brenda shpellës së gojës.

