Të ftuarit e parë të emisionit të saj janë gazetari Berat Buzhala dhe analistët Arjan Curri e Dritan Hila.
Ish deputetja demokrate, Grida Duma ka nisur sot të moderoi emisionin “Top-Story”.
Duma e ka nisur emisionin në pjesën e parë me një “autorrëfim” ku ndër të tjera ka rrëfyer edhe një bisedë që kishte bërë më herët me kryetarin në atë kohë të PD-së, Lulzim Basha.
Ajo rrëfeu se si i kishte kërkuar Bashës që të përdorte një gjuhë më të qartë për shqiptarët, duke lënë mënjanë termat e komplikuar, por përgjigja e tij e bëri që “të nënqeshë”.
Duma u shpreh se me ato që ka parë në parlament vështirë se do ta gënjejë dikush në studio, duke nënkuptuar se “mashtruesit më të mëdhenj” janë ligjvënësit
Ja çfarë tha ajo në vetërrëfimin e saj:
Tentova të bëj një bisedë, t’i them hapur atë që nga mënyra se si po e shpalosnim ne programin, ishte jo i kuptueshëm nga të gjithë. Është e pamundur i them, nuk mund të vazhdojmë me këto terma GDP, PPP, ndaj të shohim se çfarë mund të bëjmë që të frymëzojmë njerëzit. Që të na kuptojnë. Më tha do kemi rritje ekonomike kur të qeverisim dhe të tjerat do të vijnë vetiu. Nënqesha, i thashë gjërat e tjera, shanset nuk vijnë vetë. Të investohemi te njerëzit, të investohemi tek më të mirët. Te qindra që kemi në institucionet tona, që të kenë frymën perëndimore. E thash vetëm kaq, unë do ivestohem te njerëzit, dhe sonte jam këtu. Do investohem te njerëzit dhe aftësitë, sepse shqiptarëve nuk i mungojnë aftësitë, por mundësitë.
Kjo që po bëj tani, që po komunikoj me shumë shqiptarë është gjëja më serioze që më ka ndodhur. Mendoj që kam hyrë në politikë jo në ditën që kam hyrë në një strukturë partie, hyra nga media në politikë. Gara në këtë vend nuk është vrarë nga ekonomia e tregut, gara në këtë vend, meritokracia është vrarë nga kryetarët. Ata janë të parët që në një vend post-komunist paracaktojnë garat. Një kryetar e di shumë mirë që mjafton një simbolikë e vetme, sikur ta marrë atë kandidatin në një foto në krahun e djathtë, dihet kush do fitojë.
Me sa kam parë aty në Kuvend, këtu është vështirë që të më gënjejë njeri.

