Një rast tepër të dhimbshëm ka përcjellë “abcnews”, ku një zonjë 70-vjeçare nuk mban dot lotët para kameras dhe mikrofonit të televizionit.
E moshuara nga Pogradeci kishte punuar për 25 vite si infermiere, por nuk mund të marrë pension pasi i ishin grisur listë pagesat dhe nuk figurojnë në institutin e sigurimeve shoqërore.
Me lot në sy, ajo rrëfeu, se ka 10 vite që ka dalë në pension, por nuk ka marrë asnjë lekë pension për vitet e punës që ka punuar.
Zonja pohoi se jeton bashkë me bashkëshortin me vetëm 70 mijë lekë të vjetra.
“Jetoj me 70 mijë lekë. Jam mbytur me borxhe. Kam punuar për 25 vite si infermiere, por nuk marr pension pasi janë grisur listë pagesat. Kërkoj nga shteti të më japë një zgjidhje. Shkuam edhe në Korçë ku i gjetëm sigurimet shoqërore, por nuk mund ta ndjek rastin, pasi avokatja më kërkoi 5 milionë lekë, nuk kam ku t’i gjej”, shprehet e moshuara.
Kunata e cila shoqëronte të moshuarën tregoi se ajo dhe bashkëshorti i saj ushqehen vetëm 1 herë në ditë.
“Këta hanë bukë vetëm njëherë në ditë, se kam qenë unë tek shtëpia e këtyre. Kur më bie dera i them burrit erdhën të kërkojnë lekë. A duhet të kesh frikë t’i hapësh derën kunatës se po vjen të kërkojë lekë. Kjo ka 25 vite punë dhe nuk merr asnjë lekë, çfarë të bëjë”, rrëfen kunata e të moshuarës.

