Besomëni!
Kur ju them se hëna kurrë s’mund të jetë e plotë,
Besomëni!
Kur ju them se nga portat e hapura,
dalin hidhërimet,
Kur ju them se ka ëndrra që lindin
edhe kur shpresa vdes,
Kur dëshirat e pambushura,
nëpër shpirtëra shtojnë dhimbjet.
Nëse betohem,
Besomëni!
Për honet mes njerëzisë,
për shirat që gërryejnë tokën,
Për urinë që s’shuhet.
Për veshtrimet që enden nëpër pritje,
Besomëni!
Kur flas për duart e thata,
që kërkojnë të shembin botën,
Besomëni!
Kur ju flas për malet dhe brigjet,
që e kanë emrin IKJE.
Besomëni!
Kur ju them se dhe puthjet,
janë të pabesueshme,
Kur ju them se ndjenjat,
si eshka të pandezura rrinë,
Besomëni!
Kur ju them se ka epshe
dhe ekstaza të pashpjegueshme,
Se fjalët u sfumuan,
Në vend të luleve
varset shumëkaratëshe ndrijnë.
Besomëni!
Besomëni, kur marr me mall,
çastet e gëzimit në duar,
Ato çaste që shuhen,
kur shoh fytyra të pështira,
Besomëni, kur ju them:
“Kështjellat e ëndrrave u rrëzuan!”
Kur ju them se veç frymëzohem
e bëj marrëzira.
Besomëni!
Kur ju them se në këtë Botë …
(Ah, kjo Botë!)
Do të ishte më e lehtë,
Nëse i përgjunjur nëpër rrugë të endeeha,
Besomëni!
S’e bëj dot!
Kjo nuk do të ishte jeta ime e vërtetë.
Besomëni!
Kur ju tregoj për tryezat e mia,
që kurrë s’mbeten vetëm,
Ndaj të dashurve të m’i u them:
“Përqafomëni!”
E bashkë me ta çirrem,
gajasem për boten e përçudnuar
,
Ndaj….
Nëse betohem për ditët e mia të lira,
Besomëni!
B. Torba.
Nga vëllimi poetik “Ulërima …”

