Nëse nuk ke një nerv, nuk ke një ëndërr, nuk ke një ambicie kombëtare, politika është një “pasion i përkohshëm” nga e cila futesh e del kur të duash, pavarësisht nëse ‘politikisht’ mund të mos kesh arritur asgjë.
Një ligj më i mirë? Një ekonomi më e shëndoshë? Qytetarë të shërbyer më mirë? Një shtet më i fortë? Këto janë ‘stofa’ me të cilën një politikan mund të matet.
Sigurisht, jam i ndërgjegjshëm që kur je në opozitë nuk mund të bësh shumë. Nuk ke pushtetin. Por, nga ana tjetër, ke çdo gjë tjetër, ke lirinë totale për t’u angazhuar në çdo fushë pa patur asnjë përgjegjësi administrative, buxhetore, juridike.
Një politikan, më saktë një deputet në opozitë është si një gjyqtar. Ka mundësinë të japë verdiktin e tij për çdo taksë, për çdo nismë publike, për çdo akt qeverisës. Politikani në opozitë jep drejtësinë politike, parakusht i panegociueshëm i çdo demokracie që mbahet nga check & balance. Dhe kjo është ajo çka njerëzit presin. T’u dalësh garant që pushteti nuk abuzon me taksat e tyre, më trashëgiminë kombëtare, me të mirën publike.
I kam konsideruar miq si Grida Dumën dhe Alfred Rushaj dhe nuk është pa keqardhje që lexova lajmin e largimit të tyre. Grida për artikulimin e pakontestueshëm, Alfredin për teknicitetin.
Këto janë kohët që jetojmë dhe politika për shkak të Edi Ramës po bëhët gjithmonë e më pis, më llum, më kriminale, më e korruptuar, më e pagëlltitshme nga njerëz që kanë ambicie politike apo hezitime profesionale. Ndaj bie dakort që është më e drejtë të refuzosh vegjetimin sesa të pasurohesh duke shitur karrigen në rastin më të keq, ose duke zënë vendin e dikujt tjetër në një kauzë që është më e madhe se ty në rastin më të mirë. Në këtë drejtim, respekte për të dy. Uroj shumë që ata që do t’i zëvëndësojnë të mos e kenë politikën një “pasion të përkohshëm”.
E rindaj këtë video nga fushata zgjedhore e shkuar sepse pavarësisht se tanimë bëhen 9 vite në opozitë, pavarësisht mbështetjes se gabuar që i ofruam lidershipit te shkuar, unë i qëndroj besnik idealit të një ëndrre të madhe. Ëndrrës të një Shqipërie që nuk është në rrezik, por të një Shqipërie që rritet, e begatë dhe e fuqishme, ekonomikisht dhe politikisht, në njerëzit dhe në asetet e saj.
Politika është një maratonë sepse nuk është diçka që mund të kufizohet në një mandat të vetëm, në një fushatë të vetme, në një garë të vetme. Ajo impakton njëherazi brezat, dhjetëvjeçarët, sektorët ekonomikë e miliona bashkëkombës. Dhe çdo ditë që kalon, sa më pis të bëhet politika, aq më shumë Shqipëria vendoset në rrezik.
Ndaj të shtunën, në orën 16:00, unë do të jem në shesh, bashkë me ju, për t’i dalë zot ëndrrës për një Shqipëri të madhe, të begatë, të pasur e nga ku shqiptarët nuk largohen, të zhgënjyer, të abuzuar, të tradhtuar e të vjedhur nga politika, por zgjedhin të qëndrojë e të ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, në një vendlindje demokratike, të drejtë e të pasur…
Të shtunën, në orën 16:00, të gjithë në shesh!
#protesto #Bashkë #Shqipëria #demokrat #partiademokratike #tirana

