Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka pritur sot një delegacion të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës.
Vlerësova bashkëpunimin e faktorëve politikë shqiptarë në Luginën e Preshevës, i cili solli një regjistrim më të saktë e më të drejtë të shqiptarëve që jetojnë aty, shkruan Begaj në “Facebook”
Njoftimi i Presidentit:
Pjekuria dhe serioziteti që shqiptarët dhe partitë politike shqiptare të Luginës së Preshevës treguan për procesin e regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë në Republikën e Serbisë është për t’u përshëndetur dhe vlerësuar. Këtë konsideratë e ndava me një delegacion të Luginës së Preshevës gjatë një takimi të zhvilluar sot.
Vlerësoj frymën e bashkëpunimit të demonstruar nga të gjithë aktorët dhe faktorët politikë shqiptarë në Luginën e Preshevës, i cili solli një regjistrim më të saktë e më të drejtë të shqiptarëve që jetojnë aty.
Prioriteti kryesor është bashkëpunimi rajonal në të gjitha aspektet, gjë që na garanton një realizim më të shpejtë të objektivave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian për të gjitha vendet e rajonit.

