Kreu i një pjese të grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka zhvilluar një takim në qytetin e Fierit.
Ai foli për mediat pas takimit dhe u shpreh se mbledhja u zhvillua me kolegjin e kryetarëve të PD-së së bashku me kryesinë.
Informimi i strukturave për gjithë zhvillimet e brendshme ishte qëllimi i takimit, tha ai, me synimin për të dalë me një kandidat fitues në zgjedhjet e 14 majit.
Alibeaj: Informimi për formulën që ofruam në takimet që Bardhi pati me Palokën.
Sigurisht edhe për vendimin e fundit të PD-së pasi morëm atë lloj qëndrimi dhe vendimi nga zoti Paloka. Ishte udhës sot që jo vetëm t’i informonim. Më i rëndësishëm ishte qëllimi i dytë që ka të bëjë me fillimin e menjëhershëm të procesit të riorganizimit të të gjitha degëve të PD-së.
Ai njoftoi se së shpejti do të identifikojnë kandidaturat për të gjitha bashkitë.
Alibeaj: Deri ditën e diel nga ana e kryesisë dhe nga ana e sekretariatit do të shpërndahen udhëzimet për të arritur këto qëllime. Në PD janë depozituar prej kohësh një numër i madh kandidaturash të cilat janë produkt i një procesi një anëtar, një votë. Shumë shpejt do fillojmë të deklarojmë kandidaturat përkatëse për të gjitha bashkitë.

