Ç’rëndësi ka historia midis nesh dhe hekurave
Na rrethuan me to, a ishim në rrethim,
Hekurin e kemi në gjak, na u shfaq duarve
Kur trupi prej hekurave dhemb gjer në shpirt?
Me-gjithë-se edhe çelim, e gëzojmë, në çaste
S’jemi krejt pa ditë me diell, përhënur ëndrra,
Na tradhëtojnë ca “Ah-e…”, ca “Uh-e…” psherëtime
Për shkak të hekurave që therin nga brenda…
S’na thotë dot kush, as Vetja, si i bëhet
S’mbyllim dot sytë në çarje eshtrash hekur
Vjen limfa nga rrënjët e ëndrrat, por s’ngjitet
Tërë sythet e gjethet na çelen zverdhur…
Zogjtë atje sipër trishtojnë cicërimash
Gjer në këngën e tyre hekurat arrijnë
Ç’rëndësi ka historia se si u prangosëm
Kur edhe në çaste lirie rrëfejmë robërinë?