Fiskalizimi do t’i kushtojë shtetit edhe të paktën edhe 6.5 milionë euro të tjera që do të shkojë për mirëmbajtjen në dy vitet e ardhshme. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit njoftoi këtë të hënë hapjen e procedurës së prokurimit me objekt “Mirëmbajtja e Modulit të Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit” me një fond limit rreth 770 milionë lekë pa TVSH ku parashikohet që fituesi do të sigurojë mirëmbajtjen e sistemit 24 muaj nga nënshkrimi i kontratës.
Vetë sistemi i kushtoi buxhetit të shtetit në fillim 15 milionë euro sipas procedurës që u fitua nga kroatët e NEO në gusht të vitit 2018 . Projekti i fiskalizimit synonte që, duke nisur nga data 1 Janar 2020, të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit do të raportoheshin tek Administrata Tatimore në kohë reale, bazuar në sistemin e ri të pajisjeve fiskale, ndërsa nga 1 Janari 2021, të gjitha transaksionet ndërmjet biznesit me njëri – tjetrin dhe ndërmjet biznesit me organet publike do të bëheshin në bazë të faturës elektronike. Projekti u shty disa herë, fillimisht për shkak të pamundësisë për tu zbatuar brenda një periudhe të shkurtër dhe më pas nga pandemia. Procesi i fiskalizimit përfundoi tërësisht në mesin e vitit 2022, ose gati dy vjet më vonë se parashikimi fillestar. Tashmë mirëmbajtja duhet të prokurohet sërish.
Referuar dokumenteve të bëra publike thuhet se qëllimi kryesor i këtij projekti është mirëmbajtja e sistemit te Menaxhimit te Kontrollit te Faturimit (sistemi i Fiskalizimit) për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Duke garantuar funksionimin e plotë të sistemit elektronik, në të gjithë komponentet e tij: softëare dhe hardëare.
“Ky sistem është i hostuar në Datacenter-in Qeveritar, pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe ofron shërbimet për rreth 125 mije tatimpagues si dhe për vetë administratën tatimore. Disponueshmeria e sistemit të fiskalizmit është shumë e rëndësishme. Shërbimi i fiskalizmit si dhe Portali i tatimpaguesve (SelfCare) nuk mund të pësojnë ndërprerje te shërbimeve per më tepër se disa minuta, ai nuk mund të toleroje ndërprerje te planifikuar te shërbimeve për upgrade, update apo modifikime te ndryshme.
Shërbimet e ofruara ndaj tatimpaguesve (fiskalizmi, verifikimi i faturave, pranimi/refuzimi i faturave, etj) si dhe ndaj administratës tatimore duhet te jene funksionale 24ore/ne 7 dite” thuhet në dokument.
Të njëjtat dokumente nënvizojnë se sistemi i Fiskalizimit është në tërësi i njëtrajtshëm dhe i mundëson përdoruesve përmbushjen me lehtësi, në mënyrë të sigurt dhe efikase proceset e tyre të punës duke përfillur kërkesat e përcaktuara funksionale dhe ato jofunksionale. Sistemi përcakton kanale të ndërveprimit kundrejt përdorueseve dhe po ashtu integrim me sisteme të partnerëve të tjerë. Përdoruesit e sistemit ndahen në: a)Tatimpagues, b) Qytetarë ;c) përdorues të brendshëm si:- Zyrtarë të Administratës tatimore; zyrtarë tjerë të organeve publike; njerëz me autoritet/kompetenca publike.
https://www.monitor.al/fiskalizimi-edhe-6-5-milione-euro-te-tjera-per-sistemin-prokurohet-mirembajtja/