Rrugët e qytetit të dytë më të madh të Bolivisë, El Alto, karakterizohen nga arkitektura unike, e cila ka lindur nga kultura vendase indigjene.
Fotografi italian, Yuri Segalerba, udhëtoi për në El Alto, e cila ndodhet lart në rrafshnaltën e Andeve, për të parë stilin e arkitekturës të neo-Andeve.
Ky stil, i krijuar nga muratori vendas i kthyer në një arkitekt me famë botërore, Freddy Mamani Silvestre, e ka ndryshuar plotësisht qytetin që kur ndërtesat e para me këtë stil filluan të shfaqeshin në vitin 2005. Gjatë kohës së tij në El Alto, Segalerba ishte në gjendje të dokumentonte shtëpitë e shumta dhe sallat e vallëzimit që i japin qytetit karakterin e tij unik.
Arkitektura shumëngjyrëshe është një shprehje e pastër e Aymara, një grup etnik indigjen që përbën 25% të popullsisë së Bolivisë. Pjesa më e madhe e popullsisë së El Alto i përket grupit etnik Ayamara, ashtu si edhe vetë Mamani Silvestre.
Arkitektura është një paraqitje vizuale e suksesit të tyre. El Alto, e cila u themelua në vitin 1985, ndodhet ngjitur me La Paz dhe për shumë vite konsiderohej një lagje e varfër. Megjithatë, ky shpërthim ekonomik i ka sjellë shumë përfitime qytetit dhe banorëve të tij. Sot, ajo është një nga qendrat urbane me rritjen më të shpejtë në Bolivi.
Me një popullsi që përbëhet në masën 76% nga grupi etnik Aymara, ky është qyteti më i madh në Amerikën Latine ku mbizotëron popullsia indigjene. Arkitektura e neo-Andeve e këtij qyteti pasqyron pikërisht këtë fakt.
Mamani Silvestre frymëzohet nga tekstilet indigjene dhe e shfaq me krenari këtë trashëgimi në të gjithë qytetin. Fotografitë nga Segalerba të këtyre shtëpive dhe të sallave të vallëzimit janë tepër interesante në përmbajtjen e tyre.
Gjithashtu, fotografitë e tij nuk fokusohen vetëm tek arkitektura shumëngjyrëshe dhe gjeometria, por ato paraqesin një pamje të të gjithë qytetit. Mesazhi i Mamani Silvestre për besimin te kultura e gjithsecilit është edhe më mbresëlënës kur shikon ndërtesat përreth, shumë prej të cilave janë të papërfunduara. E parë nga ky këndvështrim, arkitektura bëhet një simbol i fuqishëm i ndryshimit dhe një kujtesë se gjithmonë ka vend për t’u përmirësuar. / My Modern Met
Fotografi Yuri Segalerba udhëtoi për në El Alto, në Bolivi, për të fotografuar arkitekturën shumëngjyrëshe të qytetit.




