Një tragjedi e rëndë për familjen shqiptare, rezidente në Itali.
Mbrëmjen e djeshme, ka humbur jetën një 22-vjeçare dhe tre fëmijë, të moshave 2, 10 dhe 12 vjeç, ndërsa burri ka mbetur i lënduar rëndë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 20:00 në Via Emilia midis Cadé dhe Villa Gaida, në provincën e Reggio Emilia, kahu i lëvizjes drejt Parmës, shkruajnë mediat italiane.
Autoritetet bëjnë me dije se autovetura “Fiat Stilo” udhëtonte në drejtim të Sant’Ilario, kur drejtuesi i mjetit, humbi kontrollin dhe doli nga rruga duke u përplasur me një shtëpi.
Policia dhe zjarrfikësit ndërhynë për nxjerrjen e personave brenda llamarinave të përdredhur të makinës dhe e gjithë ndërhyrja zgjati shumë.
I plagosuri u dërgua në gjendje shumë të rëndë në spitalin Reggio Emilia.
Deri më tani, është zbuluar se 22-vjeçarja ishte nëna e 2-vjeçarit, ndërsa nuk dihet nëse fëmijët e tjerë ishin të tyre apo të të afërmëve.
Ende e paqartë se të kujt ishin fëmijët, mbasi burri i plagosur nuk mund të pyetet ende nga policia për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të tij.