Të dua!
Të dua!
Mendohu!
Të dua!
Kapërcej udhëkryqet e jetës,
kapërcej shiritat e bardhë të rrugëve të asfaltuara
me këto fjalë të përjetshme: “Të dua!”
Oh, si janë qiejt tanë të kaltër,
më të butë se mëndafshi i deteve mesdhetare!
Atje ndizen me miliona yje natën,
ndërsa unë, në kupolë të tyre, kam shkruar:
“Të dua!”
Mbi rërën e plazheve kam shkruar: “Të dua!”,
Mbi dyert e kabinave: “Të dua!”,
mbi granitin e maleve: “Të dua!”
Dhe kam zbritur poshtë hendekëve
dhe livadheve të gjelbra plot lule: “Të dua!”;
Pranë kallamave fërshëllonjës
dhe pranë lëvorfeve të drurëve shekullorë kam shkruar: “Të dua!”
Mbi velën e kuqe të banderolave,
ku shkruhen gjëra të rëndësishme me germa të bardha
unë shtoj me mend edhe këto
fjalë:
“Të dua, të dua!
Mendohu,
të dua!”
Dhori Qiriazi (U lind në Lëngëza, Kolonjë më 3 janar 1933 – vdiq në Tiranë më 2 tetor 2009) ka qenë poet lirik, shkrimtar, përkthyes dhe studiues shqiptar.

