Datë në historinë detare
Në 30 tetor 1914, anije të Divizionit Special të Marinës Mbretërore Italiane, nën komandën e kunëradmiral Giovanni Patris, zbarkuan në gjirin e Shën Nikollës (Ishulli i Sazanit). Në ishull zbarkuan 5 oficerë, 18 nënoficerë dhe 153 detarë. Po në këtë ditë korracata “Enrico Dandolo” (Klasi “Caio Duilio”) zbarkoi në qytetin e Vlorës me 15 personel mjekësor, me qëllim krijimin e një nyje mjekësore në këtë qytet.
Deri në 18 janar 1914 ishulli i Sazanit kishte qenë i pushtuar nga grekët, të cilët u detyruan të largohen. Grekët e kishin pushtuar Sazanin në 8 nëntor 1912, por mbas njohjes të kufijëve të Shqipërisë së pavaruar, fuqitë e mëdha i kërkuan grekëve të largohen. Me largimin e tyre më 18 janar 1914, grekët ia dorëzuan ishullin e Sazanit qeverisë së Shqipërisë.
Në vitin 1815 ishulli i Sazanit ishte pjesë e Republikës Autonome të Ishujve Jonian nën protektoratin e Britanisë së Madhe. Në vitin 1864 Ishujt Jonianë u bënë pjesë e Greqisë, duke përfshirë edhe ishullin e Sazanit. Grekët zotëronin ishullin e Sazanin “de jure”, pasi “de facto”, ishulli i Sazanit ishte nën kontrollin e Perandorisë Osmane. Gjatë luftës së pare Ballkanike, më 8 nëntor 1912, 50 vjet mbasi kishte fituar statusin e kontrollit të ishullit, grekët pushtuan ishullin e Sazanit.
Mbas Traktatit të Fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915, italianët rritën prezencën ushtarake në ishullin e Sazanit, si dhe në Vlorë, duke e legjitimuar atë me traktatin e 2 gushtit 1920 me Qeverinë e Shqipërisë. Italia kishte përcaktuar strategjinë e saj për kontrollin e Gjirit të Vlorës dhe Ishullit të Sazanit qysh në vitin 1873, me synimin kontrollin e Kanalit të Otrantos. Kjo strategji u bë realitet me pushtimin e Sazanit më 30 tetor 1924 dhe më pas Traktatin e Londrës së 26 prillit 1915.
Sazani ka qenë pjesë e Italisë deri në shtator 1943, kur Italia kapitulloi dhe doli nga Lufta e Dytë Botërore. Gjatë kësaj periudhe Sazani ka kaluar administrativisht në rajone të ndryshme të Italisë dhe ka patur të emëruar një komandant ushtarak. Mbas italianëve, në vitin 1943, ishulli i Sazanit u pushtua nga gjermanët dhe më 22 tetor 1944 u çlirua nga partizanët shqiptarë duke kaluar nën kontrollin e qeverisë së Shqipërisë. Por, ishulli i Sazanit i kaloi “de jure” Shqipërisë me Traktatin e Parisit të 10 shkurtit 1947.







