Mbas vendimit të Gjykatës së Apelit Shkodër, e cila dënoi me 3 vite ish kreun e bashkisë Lezhë, ka reaguar me një status publik sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka.
Ai shkruan, se dënimi i Fran Frrokajt, si pjesë e fushatës së Ramës. Pse nuk hetohen kryebashkiakët e Rilindjes?
Ja postimi i plotë i tij:
Dënimi i Fran Frrokajt, si pjesë e fushatës së Ramës. Pse nuk hetohen kryebashkiakët e Rilindjes?
Dënimi i Fran Frrokajt sot nga gjykata, është i dëshiruar dhe me bekim nga qeveria dhe levat e Edi Ramës.Edi Rama ka shtuar presionin ndaj ish bashkiakëve demokratë në vigjilje të fushatës për zgjedhjet vendore. Rama synon të trembë e të pengojë faktorët opozitarë, një mënyrë byzantine e njohur tanimë, e përdorur nga ai prej kohësh.
Ndërkaq, nuk ka se si të mos vihet re që:
-Kryebashkiakë socialistë që kanë sjellë falimentimin e njësive të tyre vendore
– Janë përfshirë në aferën më të madhe korruptive në vend, të inceneratorëve.
– Nuk preken nga drejtësia, madje janë në krye të përpjekjes së Rilindjes për të mbajtur sërish pushtetin me cdo kusht e me çdo mjet.
U bëj thirrje organeve të drejtësisë, e në veçanti SPAK-ut, të shohë e të shqyrtojë abuzimin dhe korrupsionin madhor të shumë prej të besuarve të Ramës nëpër bashkitë e vendit!
Mbrojtja kryeministrore që u ofrohet atyre, nuk mund të sjellë pandëshkueshmëri.
Ligji duhet të funksionojë pa ndikim e pa selektim, ndërsa drejtësinë e vërtetë do ta bëjnë qytetarët me votën e tyre më 14 Maj.

