Kreu i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia, me rastin e 65-vjetorit të krijimit të Universitetit “Luigj Gurakuqi” ka pritur një grup profesorësh nga Universiteti i Denver në SHBA, Universiteti i Mësuesisë në Zyrih, Universiteti i Zagrebit dhe Universiteti “Luigj Gurakuqi”.
Lajmin e ka bërë vetë Spahia në “Facebook”:
Shkodra ka spikatur ndër shekuj në fushën e dijes! Roli që ajo ka luajtur si brenda dhe jashtë kufijve ka qenë domethënës dhe është kënaqësi të shohësh fryte të reja bashkëpunimi që lindin edhe sot.
Kënaqësi të prisja në një takim dhe të bashkëbisedoja me një grup profesorësh nga Universiteti i Denver në SHBA, Universiteti i Mësuesisë në Zyrih, Universiteti i Zagrebit dhe Universiteti “Luigj Gurakuqi”, pjesë e departamentit të edukimit fizik dhe sporteve.
I bashkoi Shkodra, ku u festua 65 vjetori i krijimit të Universitetit, por gjithashtu edhe një nisëm domethënëse, hapja e një programi të ri studimi në master “Menaxhim ne Sport”.
Kur flitet për arsim dhe ura të reja bashkëpunimi, mbështetja ime dhe institucionit që drejtoj do të jetë gjithmonë prezente.