Partia Demokratike ka mbledhur Këshillin Kombëtar sot për të miratuar rregullat e primareve në funksion të përzgjedhjes së kandidatëve në zgjedhjet vendore.
Në këtë mbledhje kreu i saj, Sali Berisha u shpreh:
Kjo është një mbledhje jashtëzakonisht e rëndësishme për faktin se ne miratojmë sot këtu, rregullat në përputhje me statutin e PD-së, të zhvillimit të primareve për zgjedhjet vendore dhe disa prej tyre janë të njëjta për zgjedhjet e deputetëve.
Ne sot, në përputhje me vendimet statusore, shënojmë një hap të madh si forcë politike e rithemeluar.
Unë kërkoj nga ju që termin rithemelim të mos e lexojmë në asnjë mëyrë si një meritë e jona. Termin rithemelim duhet ta lexojmë dhe kuptojmë si një detyrim madhor i çdo demokrati dhe demokrateje për të bërë gjithçka që forca jonë politike t’u paraqitet shqiptarëve mbi parimet e saj të vërteta, si një forcë e rithemeluar.

