Po, gishtin kokës të gjithë…
Të gjithë ata që e ndjejnë, e kuptojnë se ky shtet po qeveriset mos o Zo, se më keq s’ka ku shkon, duhet t’i vënë gishtin kokës dhe të heqin frerët e gojës dhe kapuçin hermetik të trurit.
Ekonomia që tashmë ka krijuar tre realitete;
1-Njëra e dukshme, qiellore dhe shkëlqyese, por vetëm për 10% të popullsisë
2- Tjetra mbetet ekzistenciale dhe ja del me shtrëngesa të përballueshme dhe që përfshin 20-25% të popullsisë.
3- Dominuesja, e cila përpëlitet për mbijetesën biologjike dhe është fasha që mbledh 60-65% të familjeve shqiptare.
Krimi, droga, kazinotë, arratia dhe një varg pafund arsyesh duhet të ngjallin sensorët e reagimit qytetar, mediatik e opozitar.
Pikërisht këtu do ndal, por vetëm te faktorët opozitar të deklaruar, mbasi e ashtuquajtura shoqëri civile është bërë ose perceptohet si levë e grasatuar e qeverisë.
Media…dhe kjo s’është e re, ndihet si kockëpritëse po nga qeveria për ndonjë reklamë në rastin më modest dhe përfituese e lejeve të ndërtimit dhe statusit “Investitorë strategjik” në të zakonshmen sjellje
Opozita…
E qorrollisur, fragmentuar dhe e zonja deri më tash për të prodhuar lajme për vete.
Në kushte të tilla, nuk mbetet vend për filozofi dhe shpjegime filozofike apo teori politike.
Jo, ka vetëm një mundësi…
Gishtin kokës për të kuptuar realitetin dhe nevojat ulëritëse të shqiptarëve.
Gishtin kokës të gjithë se koburen shtrënguese e ka tjetërkush në dorë…

