Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy persona në kuadër të operacionit “Tattoo” pasi akuzohen si shpërndarës të lëndëve narkotike.
Shtetasit Armando Behari, 23 vjeç, dhe Brunald Shakaj, 33 vjeç, të dy banues në Tiranë, janë të arrestuarit.
“Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se Armando Behari administronte një qendër tatuazhesh, në rrugën “Sulejman Delvina”, në të cilën kryente edhe aktivitetin kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në bashkëpunim me shtetasin B. Sh.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve dhe kontrollit në ambientet e kësaj qendre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, të ndarë në doza, gati për shitje.” thuhet në njoftimin e bluve të kryeqytetit.
Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se Brunald Shakaj kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, duke dalë jashtë banesës.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

