Deri në fund të vitit, pasagjerët do të mund të udhëtojnë falas në trena, në udhëtime më pak se 300 kilometra (186 milje)
Udhëtimet me tren nën 300 kilometra (186 milje) do të jenë falas në Spanjë deri në fund të vitit, një skemë të cilën zyrtarët e qeverisë spanjolle e cilësuan si një përpjekje për të reduktuar ndikimin e krizës së kostos së jetesës dhe gjurmës së karbonit në vend dhe për të nxitur njerëzit të zëvendësojnë makinën me transportin publik.
Në thelb të nismës, e cila filloi të enjten, pasagjerët – si rezidentë edhe turistë – do të kenë të drejtën të udhëtojnë falas në trena lokalë dhe në linjat me rreze të mesme midis qyteteve.
Nisma, e cila kërkon regjistrimin për një biletë udhëtimi dhe një depozitë, financohet nga një subvencion i qeverisë prej 221 milionë eurosh, sipas asaj që raporton Reuters.
Pasagjerët mund të marrin biletë mujore nëpërmjet aplikacionit Renfe apo në biletaritë e stacioneve. Në momentin që zgjidhet stacioni i origjinës/destinacioni, krijohet një kod QR që mund të përdoret si biletë.
Është e nevojshme të paguhet një depozitë 10 euro për cercanias* dhe 20 euro për udhëtimet Media Distancia. Kjo shumë do të rimbursohet kur të kryhen të paktën 16 udhëtime në harkun e katër muajve.
Qeveria jep një shembull të kursimit:
“Një udhëtar që përdor biletën mujore për linjën konvencionale Badajoz-Merida, që kushton 153,20 euro në muaj do të kursejë 612,80 euro gjatë katër muajve të vlefshmërisë së kësaj skeme.”
Shenjat e para tregojnë se nisma është vlerësuar nga udhëtarët. Raquel Sánchez, ministrja spanjolle e Transporteve, Lëvizshmërisë dhe Axhendës Urbane, deklaroi se thuajse 100 mijë persona përdorën biletën falas në Madrid të enjten në mëngjes, 50 për qind më shumë se “një ditë si sot” në vitin 2019.
“Biletat e reja janë të dobishme për të ndihmuar klasën e mesme dhe punëtore” – shkroi ajo në Twitter. Çmimet variojnë në të gjithë vendin, por në Madrid, një biletë e vetme kushton nga 1,70 në 8,70 euro, në varësi të distancës.
Spanja, ashtu si shumë vende, po luftojnë inflacionin e lartë. Norma e inflacionit u rrit në 10.8 për qind në korrik, niveli më i lartë në 38 vjet. Kryeministri Pedro Sánchez deklaroi se shkak për rritjen e çmimeve është lufta e Rusisë në Ukrainë.
Një skemë e ngjashme sapo përfundoi në Gjermani, ku shërbimi hekurudhor kombëtar ofroi bileta mujore me çmim 9 euro. Nisma 2.5 miliardë euro, e paguar nga një subvencionim i qeverisë, u vlerësua shumë nga udhëtarët dhe nuk solli mbipopullimin siç mendohej, edhe pse një e katërta e popullsisë bleu bileta në muajin e parë.
Nismat e të dyja vendeve u morën pjesërisht si rrugë shpëtimi kundër rritjes së kostove të jetesës, por edhe si përfitime në afat të gjatë në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe reduktimit të varësisë nga nafta ruse.
Sipas The Guardian, qeveria gjermane deklaroi se falë zbatimit të skemës emetimet e dioksidit të karbonit u reduktuan me 1.8 milionë tonë.
Nisma spanjolle është pjesë e një pakete prej 9.5 miliardë eurosh, e njoftuar të enjten, e cila synon të ndihmojë qytetarët përballë rritjes së kostos së jetesës.
Sipas Reuters, paketa përfshin edhe 3.6 miliardë euro reduktime taksash, rritjen e pensioneve dhe subvencione të tjera.
*Sistemet hekurudhore të udhëtarëve në zonat kryesore metropolitane vendit quhen Cercanías në pjesën më të madhe të Spanjës, Rodalia në Komunitetin e Valencias, Aldiriak në Vendet Baske dhe Rodalies, Katalonja.
The New York Times

