Një furgon është përfshirë nga flakët, në orët e para të ditës së sotme, në një nga lagjet e Korçës.
Sipas policisë ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, në lagjen nr. 17.
Furgoni në pronësi të shtetasit R.T, banues në të njëjtën lagje ka qenë i parkuar në momentin që ka ndodhur ngjarja.
Pronari i automjetit ka deklaruar se zjarri është i qëllimshëm dhe shkak është konkurrenca në punën që kryen.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, pa përjashtuar edhe këtë linjë hetimi për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit.

