Një zjarr i rënë ditën e sotme në një vresht me rrush në fshatin Budull për pak ka rrezikuar të kthehet në tragjedi.
Zjarri i vënë në disa shkurre e ferra ka dalë nga kontrolli, duke djegur disa mijëra metra katror vresht e ullishte në pronësi të familjes Emiri. Anëtarët e familjes kanë ndërhyrë për të fikur zjarrin, por njëri prej tyre, Hajri Emiri, 30 vjeç, është asfiksuar nga tymi dhe ka rënë pa ndjenja.
Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë në kohë për shuarjen e flakëve dhe kanë gjetur 30-vjeçarin pa ndjenja, duke i dhënë ndihmën e shpejtë. I riu është dërguar në spitalin e Fushë Krujës, ku fatmirësisht mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.



