Një raport i publikuar nga autoritetet ligjzbatuese gjermane thotë se 40 grupe kriminale që operojnë në vend drejtohen nga shqiptarët.
Raporti që i referohet statistikave të vitit 2021, i publikuar nga Ministria Federale e Brendshme dhe Zyra Federale e Policisë Kriminale nënvizon se grupet kriminale shqiptare janë fokusuar më tepër në trafikun dhe shitjen e lëndëve narkotike.
Më konkretisht 36 nga 40 bandat e drejtuara nga shqiptarët merren me shitjen e kokainës, kanabisit dhe heroinës.
Ndërsa katër grupet e tjera merren me trafik të qenieve njerëzore, pastrim parash dhe krime të tjera ekonomike. Ky raport i rendit shqiptarët të tretët pas gjermanëve me 261 grupe kriminale dhe turqve, të cilët drejtojnë 90 grupe kriminale.
Shqiptarët nga Kosova renditen në vendin e gjashtë me 20 grupe kriminale. Sipas këtij raporti, dëmi ekonomik nga grupet kriminale ka qenë dyfish më i lartë se një vit më parë. Më konkretisht nga 873 milionë euro në vitin 2020, u rrit në 2,2 miliardë euro në vitin 2021.

