Për gati 4 shekuj, ky qytet kishte humbur.
Jo vetëm rrënojat, por një kulturë, një mbretëri ndihej e cunguar pa kurorën simbol të saj.
Pse u harrua ?
A mund të ndodh një fenomen i tillë, kur kishte filluar edhe shtypshkrimi ?
Mister…
Evropianët kishin zbuluar çdo cep të banuar. Kishin zbritur edhe në këto vise, ata kolonizuan, ishin vrarë e kishin vrarë, ama kishin shënuar gjithçka e kishin vendosur toponime të reja krahas atyre që mbijetuan nga vendasit indigjenë.
Atëherë pse u fsheh në e mbi xhungël kjo mrekulli ?
Askush nuk di të përgjigjet saktë dhe në fakt ka pak rëndësi.
Për të mbërritur në shekullin e XX-të, në porsa kaloi dekada e parë e tij…
Konsiderohet se ishte thuajse i rastësishëm, zbulimi i të famshmit Maçu Piçu në Peru, një qytet i rëndësishëm inkas i shekullit XV pas Krishtit.
Shekulli 20-të sapo kishte përtypur dekadën e parë të tij dhe kishte prekur vitin e parë të dekadës së dytë.
E pra ishte viti 1911, kur antropologu amerikan, Hiram Bingham, kishte mësuar nga një indigjen për ekzistencën e një qyteze të vendosur mbi një mal përgjatë luginës së lumit Urubamaba. E mori si udhërrëfyes me pagesë të njohurin vendali dhe nisi marshimin e vështirë nëpër xhunglën Peruane.
Nën shoqërinë e tij, gjeti disa familje që shfrytëzonin tarracat për të kultivuar tokën.
Një fëmijë, Pablito Alvarez, 11 vjeç, në këmbim të ushqimit, i tregoi rrugën deri në këmbët e malit ku gjendej Maçu Piçu.
Pablito Alvarez një fëmijë i pashkollë, por që u bë bashkëzbulues i një vepre të madhe dhe një historie mahnitëse. Alvarez u shënua në histori si një zbulues i uritur, jo për thesare, as për zbulime, as për lavdi, thjesht në shkëmbim të bukës, i priu shkencëtarit amerikan për t’i dhënë botës një lartësi të tillë kulturore, arkitekturore dhe misterioze në të njëjtën kohë.
Pavarësisht se bimësia kishte mbuluar pjesën më të madhe të qytezës, eksploruesi mbeti i habitur nga bukuria e atyre gërmadhave, që sot konsiderohen një ndër mrekullitë e botës.
Maçu Piçu (Kueçua: Machu Pikchu d.m.th “Mali i Moçëm”) është një vend (qytet antik) arkeologjik inkas papa-kolumbian i ndodhur 2,430 metra mbi nivelin e detit, në pjesën lindore të Andve. Pozicionohet në një kreshtë mali mbi luginën Urubamba (Lugina e Shenjtë).
Pjesa më e madhe e arkeologëve besojnë se Maçu Piçu u ndërtua si një strehë malore e shenjtë e perandorit Inkas Pachacuti (1438–1472). Shpesh këtij qyteti i referohen edhe si “Qyteti i humbur i Inkasve”, i cili ndoshta është ikona më familjare nga Bota Inkase. Qyteti ka rreth dyqind ndërtesa të mëdha kryesisht tempuj, rezidenca, magazina dhe struktura të tjera për përdorim publik të vendosura në tarraca dhe të organizuara rreth sheshit qendror. Në një kodër në qendër të qytetit ka një lapidar graniti, ndoshta një altar, karakteristike e Inkasve dhe ndoshta një observator.
Inkasit i njihnin dhe i lexonin yjet. Ata kishin astrologët e tyre dhe “jepnin e merrnin” kumte me yjësinë.
Historia
Maçu Piçu u ndërtua aty nga viti 1450 në kulmin e Perandorisë Inkase dhe u shpopullua pas 100 vjetësh më 1572 prej Pushtimit Spanjoll.
Ka dhe një hipotezë tjetër, se spanjollët nuk e gjetën dot këtë qytet. Bëhet e besueshme kjo teori sepse nëse do të kishin mundur ta gjenin, faktet do ishin pasqyruar në kronika të kohës, por edhe fati i qytetit do ishte tjetër.
Popullsia e qytetit u shfarros për shkak të sifilizit, sëmundje e ardhur nga Europa (nëse spanjollët mbërritën deri këti) ndërsa pjesa tjeter për shkak të Luftës Civile.
Për më tepër se 400 vjet ky qytet mbeti i harruar dhe në rrënim, deri në 1911 kur arkeologu amerikan Hiram Bingham e zbuloi.
Dhe këtu nis ringjallja e lavdia e Maçu Piçu, për t’u bërë një nga objektet e trashëgimisë botërore më të famshme dhe synim i miliona njerëzve për ta vizituar.






