Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të Abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri ka ndalur te rasti i praktikës së përdorimit të libarve të përdorur nga fëmijët.
Ai tha se shpërndarja e më pak librave të rinj nuk bëhet për çështje parash.
Qëllimi është edukimi i fëmijëve se libri është pasuri dhe që duhet të ndahet me të tjerët.
Ndërkohë, kryeministri bëri me dije se do të ketë kushte për fëmijët dhe prindërit që dëmtojnë librat, ata vitin tjetër do duhet t’i blejnë.
“Kam ndjekur disa komente për librat që kalojë dorë më dorë, që jepen falas në vendin tonë, ka një cikël tre vjeçar dhe pretendimet janë që janë të përdorur dhe nuk janë të rinj… duhet kuptuar që kjo nuk është çështje parash, kjo është politike, që nuk e kemi shpikur dhe që e bëjnë vende shumë të pasura sesa ne… Synon dhe edukimin e fëmijëve se libri është pasuri që ndahet me të tjerët, që është një vlerë që nuk të përket vetëm ty… Libri duhet të jetojë edhe përtej kohës që të duhet ty për ta mësuar. Është e rëndësishme që këtë gjë ta shpjegojnë dhe mësuesit për fëmijët dhe mësuesit, dhe mbase duhet përcaktuar një rregull se ata që librat i dorëzojnë në gjendje që nuk mund të përdoren më, në vitin tjetër t’i blejnë librat, mos t’i marrin më falas. Nuk bëhet fjalë për shumicën, ata bëjnë gjënë e duhur, por për atë pakicë që nuk e bënë këtë duhet të ketë dhe një sanksion”, tha Rama

