Tre kg kanabis janë sekuestruar sot në Tiranë dhe në pranga janë vënë 4 persona.
Policia bën me dije se pas informacioneve të marra, se në një biznes në zonën e Selvisë, 2 vëllezër, mbanin lëndë narkotike, kanë ushtruar kontroll në këtë ambient.
Pas kontrolleve, policia gjeti dhe sekuestroi 3 kg të dyshuar kanabis sativa si dhe një pjesë të ndarë në doza.
Në pranga kanë rënë vëllezërit e identifikuar si D. H., 28 vjeç dhe E. H., 22 vjeç (vëllezër), të dy banues në Tiranë.
Vëllezërit, pasi siguronin lëndë narkotike cannabis sativa në sasi të mëdha, e ndanin atë në doza të vogla dhe më pas e shisnin te klientë të ndryshëm, të biznesit të tyre në zonën e Selvisë.
Në vijim të operacionit policor të koduar “Risk”, kanë rënë edhe dy persona të tjerë, M. Z., 24 vjeç, J. C., 26 vjeç, të cilëve u është gjetur lëndë narkotike, kokainë e kanabis të ndarë në doza.
Të dy personat, drogën e shisnin në zona të ndryshme të Tiranës.



