Një shtetas Kinez i kërkuar nga autoritet e Drejtësisë Kineze për një mashtrim me vlerë 140 milion dollarë, është liruar pasditen e sotme nga gjykata e Tiranës. Vendimi për zbutjen e masës së sigurisë nga arrest “në burg” 40 ditor në “arrest shtëpie”, u mor nga gjyqtari i Tiranës, Kujtim Vranici.
Ky i fundit pranoi kërkesën e avokatëve mbrojtës të shtetasit Kinez Liangbin Chen, i arrestuar në 20 korrik 2022 në komisariatin kufitar të Rinasit. Avokatët kishin depozituar një kërkesë në sekretarinë e Gjykatës, duke pretenduar zëvendësimin e masës së sigurisë nga arrest në burg në “arrest shtëpie”.
Kërkesa e avokatëve mbështetej në disa ekzaminime mjekësore që i janë kryer të arrestuarit Kinez. Dhe sipas këtyre ekzaminimeve, rezultonte se Liangbin Chen, vuan nga sëmundje në tru, për shkak të një mase mishi të huaj në kokë.
Nisur nga kjo situatë që vinte nga gjendje shëndetësore e të arrestuarit avokatët, kërkuan nxjerrjen nga burgu të Kinezit, pasi qëndrimi i tij në burg, i rrezikon jetën.
Ky pretendim i avokatëve u kundërshtua nga prokurori i Tiranës Isa Jata, i cili argumentoi se Drejtoria e Burgjeve, ka spitalin e Burgut ku të dënuar dhe arrestuar marrin trajtim mjekësor për çdo komplikacion shëndetësor.

