Policia në Pogradec ka arrestuar një koleg, i cili ishte pezulluar nga detyra.
Shkak për vënien në pranga u bë fakti se ai ishte i dënuar me arrest shtëpie, por theu masën e sigurisë.
Në pranga ka rënë E.Q., 24 vjeç për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Ai është arrestuar në ambientet e një biznesi Bar Kafe në lagjen Nr. 4 në Pogradec.
Ky procedim penal është regjistruar mbi materialin referues të dërguar nga AMP Korçë, pasi më datë 18.05.2022 ai është ndaluar me iniciativë nga oficerët e policisë gjyqësore të AMP-së, si i dyshuar për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikimi i dokumentave”.
Materialet e para hetimore janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të mëtejshme.

