Mëngjesin e sotëm kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç mbërriti në Mitrovicë të Veriut, ku u prit nga përfaqësues të Listës Serbe dhe zyrtarë të institucioneve që punojnë në sistemin e Serbisë.
“Derisa e kemi presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Anën tonë, ne nuk i druhemi asgjëje”, kjo ishte një nga pankartat që mbanin në duar serbët.
Gjatë qëndrimit njëditor, ajo do të vizitojë komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Leposaviq – ku popullata në shumicë është serbe.
Më 2 shtator, autoritetet e Kosovë lejuan vizitën e saj në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizitat e ndërsjella të zyrtarëve politikë.
Dje kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka bërë thirrje që Bërnabiç të përcjellë mesazhe paqeje dhe bashkëpunimi.