Kështu ka thënë kreu i PD-së, Sali Berisha, në një takim që po zhvillon me konsumatorë dhe sipërmarrës të vegjël.
Ai u shpreh:
“Ne kemi zgjedhur këtë format për të diskutuar probleme themelore, me të cilat përballet shoqëria jonë. Natyrisht, si PD, në mënyrë të padiskutueshme për të marrë, përzgjedhur, reflektuar në programin tonë, këto mendime që ne të përgatitemi për përgjigjen më të mirë me problematikën e madhe që përballet Shqipëria.
Në këtë kontekst është jashtë çdo dyshimi se, problem themelor me të cilin përballen shqiptarët sot, është varfërimi i frikshëm në rritje. Kjo është gjeja më evidente, e tregojnë në mënyrë të pamohueshme të gjithë treguesit që masin varfërinë.
Dëshmohet nga fakti se, në rast se në 2013 ne ishim vendi me rrogat dhe pensionet më të larta në rajon, sot i kemi më të ulëtat në rajon. Në 2013 ne kishim 1.03 % varfëri ekstreme sipas Bankës Botërore, sot është katërfishuar. Këta janë familje që marrin më pak se 1 $ në ditë. Ishin 14 mijë familje, tani janë mbi 50 mijë familje”



