Ben Sulo, 45-vjeçari nga Rrogozhina, ka rënë në prangat e policisë së Sarandës pasi dyshohet se është autor i 19 rasteve të vjedhjes së pushuesve në qytetin bregdetar.
Ai akuzohet për veprën penale “Vjedhja” e kryer më shumë se një herë.
Nga tërësia e veprimeve hetimore dyshohet se 45-vjeçari ka vjedhur në dhoma hotelesh dhe nëpër banesa, bizhuteri, aparate celulare, si dhe rreth 500 000 lekë, 11 000 euro dhe 1 000 dollarë.
Gjatë kontrollit fizik ndaj tij, oficerët e Policisë gjetën sende që dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve të tjera, si dhe shuma parash në euro dhe lekë, të dyshuara të vjedhura.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.