Nën masa të rrepta sigurie ka dalë para gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier 37-vjeçari Mariglen Muhametaj, i cili tre ditë më parë, vrau babain në fshatin Greshicë të Mallakastrës.
Muhametaj ka hyrë në gjykatë i vetëm, i pa shoqëruar nga asnjë familjar, ndërsa i është caktuar një avokat kryesisht.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 25 gushtit në fshatin Greshicë të Mallakastrës. Mariglen Muhametaj goditi me sende të forta në kokë, babain e tij 73-vjeçar, Qemal Muhametaj. Si pasojë e goditjes i ati ndërroi jetë në vend, ndërsa 37-vjeçari u arratis. Ai u arrestua pas disa orësh kërkimesh nga policia, ndërsa mësohet se pas ngjarjes nuk ka shfaqur pendesë.
Konflikti midis tyre (babë e bir) ndodhi sepse babai i pati kërkuar Mariglenit që të gjente punë se nuk mund ta ushqenin dy të moshuar.
Mediat shkruan gjithashtu se autori i vrasjes vuante nga probleme të shëndetit mendor, por kjo është një çështje që e vërteton mjekësia ligjore dhe gjykata.

