Mijëra njerëz u mblodhën në Moskë për të përcjellë në banesën e fundit Darya Dugina, bija 30 vjeçare e një prej ideologëve më të shquar nacionalistë të Rusisë, duke e përshëndetur atë si një martire.
Vdekja e Duginas cilësohet si hakmarrje ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë.
Dugina, vajza e ultra-nacionalistit Alexander Dugin, u vra të shtunën në një sulm me bombë në makinë jashtë kryeqytetit rus.
Moska ka akuzuar agjencitë e inteligjencës ukrainase për vrasjen e saj, pretendim që Kievi e ka mohuar.
Babai i saj, Aleksandër Dugin, 60 vjeç, i cili për dekada nxiti krijimin e një shteti të ri rus që do të aneksonte territorin e vendeve duke përfshirë Ukrainën, u tha të pranishmëve në funeral se vajza e tij “vdiq për njerëzit, vdiq për Rusinë”. “Çmimi i madh që duhet të paguajmë mund të justifikohet vetëm nga arritja më e lartë, fitorja jonë,” tha Dugin i emocionuar. “Ajo jetoi për hir të fitores dhe vdiq për hir të fitores. Fitorja jonë ruse, e vërteta jonë, besimi ynë ortodoks, shteti ynë”, shtoi Dugin.
Një portret i madh bardh e zi i 30-vjeçares Darya Dugina, e cila thuhet se ishte e afërt me të atin dhe punonte si komentatore e mediave nacionaliste, ishte varur në një mur pas arkivolit të saj.
Vdekja e Dugina-s të shtunën mbrëma u pasua nga thirrjet e elitës politike të Moskës për sulme të reja në Ukrainë, duke rritur frikën nga ana e Kievit për sulme të reja që do të përkonin me ditën e pavarësisë së Ukrainës të mërkurën.
Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse (FSB) tha të hënën se një shtetase ukrainase, e cila mbërriti në Rusi në fund të korrikut, qëndronte pas vrasjes së Dugina-s dhe se ishte larguar në Estoni pas krimit.
Ukraina ka mohuar në mënyrë të përsëritur përfshirjen e Kievit në shpërthimin me bombë të makinës së Darya Duginas