23 Gushti është përcaktuar si dita e përkujtimit të vuajtjes, sakrificës, torturave, vrasjeve e internimeve nga diktatura komuniste.
Në këtë kuadër ka reaguar edhe ish kryetari i PD-së, Lulëzim Basha.
Në përkujtim të kësaj dite, ai ka përcjellë statusin e mëposhtëm:
“Kurrgjanë mos kjosh i zoti me ba, rrno vetëm për me tregue.”
At Zef Pllumit
Ata mbijetuan për t’i treguar shqiptarëve dhe mbarë botës krimet e tmerrshme të komunizmit, vrasjet pa gjyq, persekutimin dhe ndarjen e familjeve shqiptare, vrasjen dhe burgosjet e mendjeve më të ndritura që kishte vendi. Shqipëria do t’ju jetë përjetë mirënjohëse!
Por ndërsa mbijetuan ata panë me trishtim se si u lartësuan xhelatët e tyre, vazhduan të kenë pushtet dhe të jenë të paprekshëm. Përjetuan dhimbjen e mos gjetjes së eshtrave të të ekzekutuarve me dhe pa gjyq, zhdukjen e gjurmëve të krimeve dhe emrave të kriminelëve.
Kurrë nuk është vonë për drejtësi! Ndarja nga e shkuara totalitare dhe dënimi i saj janë sot imperative për shoqërinë, për paqen tonë sociale, për mbrojtjen e lirisë që është thelbi i idealit tonë europian, dhe për ngjadhënjimin e një të ardhmeje më të mirë.


