Në thelb mendoj se dy janë faktorët që kanë përcaktuar degradimin e sistemit politik dhe administrativ.
Korrupsioni kapilar dhe klientelizmi. Këto dy fenomene, (fatkeqësisht fenomene përgjithësuese dhe pa ngjyrë) për nga proporcionet dhe vazhdimësia që kanë pasur në kohë, janë kthyer në një lloj sëmundje gjenetike që tashmë përveç politikës ka infektuar thellë edhe shoqërinë shqiptare.
Këto dy epidemi kanë pasur tendencë të zbehen në periudhat e para të rotacioneve të pushtetit, por me kalimin e dy mandateve nga partia socialiste u mboll një tjetër fenomen jashtëzakonisht i rrezikshëm për shoqërinë dhe politikën e çdo vendi:
Përdorimi i hapur i kriminalitetit në shërbim të mbajtjes së pushtetit!!!
Edhe këtu nuk jemi të parët.
Kujtoj domain-in e demokracisë kristiane në Italinë e pas viteve 50-të.
Kjo e fundit u mbështet fuqishëm në grupet kriminale të kohës, ku mes të cilave për ata që e njohin historinë politike të kohes ishte dhe organizata famëkeqe “Gladio”, e cila do ishte e gatshme për të vepruar me akte destabilizimi e terrori në rast se pushteti do i kalonte opozitës.
Ajo që më trondit personalisht, por duhet të shqetësojë dhe çdo shqiptar është fakti se klasa politike e sidomos partia socialiste këtë fenomen po e kthen në sistem.
Për më tepër ajo nuk ka dëshirë të mësojë nga gabimet biles fajet që dikush ka bërë para nesh, por priret të përvetësojnë këto mënyra të kobshme për të mbajtur pushtetin me çdo kusht.
Kjo sjell revanshin e krimit dhe vrasjet sheshit sepse shteti i “kapur” ka pamundësi të reagojë.
Me bindje them që me çdo mjet sa më shpejt, duhet të gjejmë rrugën që na çon në pastrimin e thellë të politikës nga këto teknika dhe ti japim fund ushqyerjes së këtyre fenomeneve të cilat po shkatërrojnë përfundimisht të ardhmen e fëmijve tanë dhe në mënyrë të pashmangshme do sjellin shfarosjen e Kombit.