Tenerife, Fuerteventura, Gran Canaria, Lanzarote, La Palma, La Gomera, El Hierro. Janë të gjithë emra ishujsh të lindura nga vullkane dhe pjesë e Kanarieve, arkipelagu spanjoll në brigjet veriperëndimore të Afrikës.
Të famshme për plazhet me rërë të bardhë dhe të zezë, por edhe për një – Fuerteventura – e cila në vitet e fundit është bërë “virale” për rërën e veçantë: Popcorn Beach (Plazhi i Kokoshkave), apo Playa del Bajo de la Burra, është një hapësirë e pafundme gurësh të vegjël, në formë kokoshkash.
Popcorn Beach, plazhi i lindur nga erozioni detar i koraleve
Bëhet fjalë për fragmente të vogla koralesh të bardha që kanë arritur në breg. Këto përzihen me shkëmbinj vullkanikë dhe rërën e zezë të plazhit.
Rezultati është një ndërthurje mes “kokoshkave” dhe “piperit të zi”.
Faqja Hello Canary Islands shpjegon se këto formacione njihen si rodoliti, ose fosile të algave korale të Miocene.
“Rriten shumë ngadalë, rreth një milimetër në vit. Disa mund të arrijnë deri në 25 centimetra, gjë që do të thotë se kanë jetuar më shumë se 250 vjet”. Disa formacione janë më shumë se 4000-vjeçare, thonë kërkuesit.
Playa del Bajo de la Burra, si të shkoni në plazhin “e kokoshkave”
Fenomeni i plazhit të mbuluar me “kokoshka” nuk është i ri, por kohët e fundit, Popcorn Beach është bërë “viral” në rrjetet sociale. Playa del Bajo de la Burra ndodhet pranë Corralejo, në komunën e La Oliva. Udhëtimi nga qyteti deri në plazhin e pazakontë zgjat rreth një orë.
Megjithatë, nëse lejohet të bëni foto të “kokoshkave”, është e ndaluar t’i merrni me vete si kujtim. Për fat të keq, thonë autoritetet lokale, çdo muaj merren më shumë se 10 kilogramë koralë nga Popcorn Beach.