Ai u mundua të fshihte provat, shkruan shtypi vendas.
Konsulli gjerman në Brazil, Uwe H. u arrestua nga policia me dyshimin se vrau partnerin e tij dhe u përpoq të mbulonte krimin e supozuar. Autoritetet thanë se viktima, një shtetas belg, ishte rrahur rëndë në shtëpinë e tyre në lagjen e pasur të Ipanema në Rio de Zhaneiro.
“Versioni i ngjarjeve të dhëna nga konsulli, se viktima ra aksidentalisht, është i papajtueshëm me përfundimet e raportit të mjekësisë ligjore,” tha oficerja Camila Lourenco e zonës së 14-të të policisë në Rio de Zhaneiro.
Ajo shtoi se kishte prova të mjaftueshme që hetuesit të arrinin në përfundimin se vdekja ishte e dhunshme.
Uwe Herbert H. punonte si konsull në konsullatën gjermane në Rio de Zhaneiro. Për shkak të natyrës së krimit të supozuar, raportet e mediave braziliane treguan se imuniteti diplomatik nuk do të zbatohej.