Presidenti i Republikës Bajram Begaj, pranoi sot Letrat Kredenciale nga Ambasadorja e re e Delegacionit të Bashkimit Evropian në vendin tonë, Christiane Hohmann.
Presidenti iuroi mirëseardhjen në Shqipëri dhe e siguroi për mbështetjen e tij dhe të institucioneve shqiptare.
Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen politike dhe asistencën financiare që BE i ka dhënë Shqipërisë në tre dekadat e fundit.
Presidenti Begaj nënvizoi ndër të tjera dhe vullnetin politik të institucioneve shqiptare për të përparuar në rrugën e reformave, duke theksuar se integrimi evropian mbetet projekti më madhor i Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“I ndërgjegjshëm për sfidat dhe vështirësitë që vetë BE-ja e Vendet Anëtare të saj po kalojnë pas agresionit rus në Ukrainë, shpreh besimin se vëmendja e Bashkimit Evropian ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor do të jetë edhe më e madhe, duke e konsideruar procesin e zgjerimit si instrumentin më të mirë gjeopolitik për adresimin e kërcënimeve ndaj paqes dhe sigurisë së rajonit dhe të kontinentit në tërësi”- u shpreh Presidenti Begaj.